Intervistë me Elton Korbi, Revista Monitor
“Rritja e normave të interesit është lajm i mirë për investitorët e rinj“
Elton KORBI
Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese Albsig INVEST
Publikuar nga Revista Monitor | 15.04.2023
Intervistë me Elton Korbi, Administrator i Përgjithshëm i Albsig Invest
Pas efektit negativ që rritja e normave të interesit dha për fondet e investimit vitin e kaluar, momenti aktual mund të jetë i favorshëm për investitorët e rinj.
Elton Korbi, Administrator i Përgjithshëm i Albsig Invest, thotë se normat e interesit të bonove dhe obligacioneve mund të kenë arritur kulmin dhe nuk pritet rritje domethënëse e tyre, të paktën deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023.
◄ Rritja e interesave krijoi një mjedis sfidues për tregun e fondeve të investimit në vitin 2022. Çfarë efektesh dhe pasojash dha rritja e normave të interesit për fondet tuaja të investimeve?
Rritja e normave të interesit për bonot dhe obligacionet e shtetit shqiptar ishte e shpejtë dhe drastike, ndikuar nga ngritja e fortë e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë si pasojë e inflacionit të lartë, që ndikoi padyshim në ecurinë e Fondit të Investimit Albsig Standard në vitin 2022, duke qenë se ky fond investon vetëm në tituj të emetuar nga shteti shqiptar.
Rritja e shpejtë e normave të interesit ishte një fenomen global, që shkaktoi ndër performancat më të ulëta historike të fondeve që investojnë në bono dhe obligacione.
Pavarësisht situatës së krijuar, Albsig Invest mori masa të hershme për menaxhimin e kësaj situate dhe pavarësisht kthimit negativ të fondit, që rezultoi në fund të vitit, ulja e Vlerës Neto të Aseteve (NAV) ishte e kontrolluar dhe jo ndikuese.
Albsig Invest, që në fillim të ciklit rritës të normës bazë të interesit, mori disa masa për menaxhimin e kohëzgjatjes së portofolit, për të zbutur pritshmëritë për rritjet drastike që priteshin për obligacionet afatgjatë të shtetit shqiptar.
Masa më e rëndësishme që Albsig Invest ndërmori ishte nisma për një fushatë takimesh informuese dhe ndërgjegjësimi me secilin nga investitorët e Fondit të Investimit Albsig Standard, duke u shpjeguar situatën e krijuar dhe arsyet e krijimit të saj dhe duke diskutuar me ta pritshmëritë që kishin për qëndrimin në fond.
Pavarësisht se gjatë vitit nga fondi u tërhoqën disa prej investitorëve, është e rëndësishme të theksohet se Vlera Neto e Aseteve (NAV) të fondit në mbyllje të vitit 2022 rezultoi më e lartë se ajo që ishte në fillim të këtij viti.
Ky ishte dhe synimi i Shoqërisë Administruese për këtë fond në vitin 2022, duke parë situatën e krijuar, i cili rezultoi i suksesshëm.
Gjatë takimeve me investitorët, Shoqëria Administruese u përpoq që t’ju shpjegonte që nëse ata kanë një horizont investimi të ngjashëm, ose më të lartë se kohëzgjatja mesatare e investimeve në fond, ishte më e leverdishme për ta qëndrimi në fond.
Në përfundim të këtyre takimeve informuese dhe ndërgjegjësimi, pjesa më e madhe e investitorëve nuk u tërhoqën, duke rezultuar një nismë shumë e suksesshme.
◄ Si e menaxhuat situatën e krijuar nga rritja e normave të interesit dhe rënia e kthimeve të fondeve? A ndërmorët ndryshime në politikat tuaja të investimit?
Siç theksuam edhe më lart, menaxhimi i situatës u realizua me shumë sukses, falë angazhimit maksimal të të gjithë punonjësve të Shoqërisë Administruese.
Takimet e ndërmarra për investitorët e fondit dhanë rezultate shumë të kënaqshme.
Për sa i përket politikës së investimit, pavarësisht diskutimeve të zhvilluara, u vlerësua që nuk ishte e nevojshme ndryshimi i saj, duke qenë se investitorët duhet të kenë synime afatmesme investimi në fond.
Megjithatë, brenda politikës së investimit, Shoqëria Administruese ndërmori shkurtimin e disa pozicioneve. Ky veprim rezultoi i suksesshëm, duke bërë që norma e kthimit të jetë më e kontrolluar në atë periudhë të luhatshme normash interesi.
◄ Si i parashikoni perspektivat e fondeve të investimit për vitin 2023 dhe në ç’mënyrë do të ndikojë rritja e mëtejshme, e pritshme, e normave të interesit?
Në muajt e parë të vitit 2023, Shoqëria Administruese ka informuar investitorët aktualë dhe potencialë të Fondit të Investimit Albsig Standard që, në varësi të horizontit të tyre të investimit, tani është një moment shumë i favorshëm për të investuar në kushtet kur normat e interesit të bonove dhe obligacioneve mund të kenë arritur kulmin dhe do të vijojë rënia e tyre.
Në parashikimet tona, normat e interesit në këto momente kanë arritur kulmin dhe nuk do të rriten më tej në mënyrë domethënëse, të paktën deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023.
Megjithatë, po ndjekim me shumë vëmendje instrumentet dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë dhe pritshmëritë e lëvizjes së normës basë të interesit.
Në lidhje me parashikimet e ecurisë së normave të interesit për Shoqërinë Administruese, por edhe për disa aktorë të tjerë të tregut, ishte e paparashikueshme që Banka e Shqipërisë të mos rriste normën bazë në mbledhjen e politikës monetare të zhvilluara n periudhën dhjetorit 2022 – shkurt 2023.
Vetëm në fund të muajit mars 2023, Banka e Shqipërisë vendosi rritjen e normës bazë me 0.25%, duke e çuar atë nga 2.75% që ishte më parë në 3%.
Në raportin e politikës monetare të tremujorit të parë të 2023, Banka e Shqipërisë është shprehur se inflacioni po bie, e ndihmuar nga ulja e çmimeve të energjisë së importuar dhe forcimit të Lekut.
Në vlerësimin tonë, forcimi i Lekut ka qenë një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në frenimin e rritjes së mëtejshme të normës bazë të interesit, në kushtet kur treguesit e tregut të punës nuk kanë qenë më mirë se tani dhe se inflacioni i brendshëm po tregon të jetë më i qëndrueshëm.
Vlen të theksohet fakti që frenimi i rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, në periudhën dhjetor 2022 – shkurt 2023, nuk ishte në të njëjtën linjë me atë çfarë po bënin bankat qendrore si Rezerva Federale (FED), Banka Qendrore Europiane (BQE) apo Banka e Anglisë (BoE).
Leximet e inflacionit për muajin janar 2023 ishin shumë të qëndrueshme në këto vende dhe po i detyron ato të jenë më shtrënguese në mbledhjet e ardhshme.
Nga ana tjetër, ajo çfarë po ndodh në Shqipëri është një pjesëmarrje masive e individëve në ankandet e bonove dhe obligacioneve të shtetit shqiptar, ku për shkak të mekanizmit të organizimit të këtyre ankandeve, normat e obligacioneve po ulen pothuajse aq shumë sa ngriheshin në vitin 2022.
◄ Për shkak të natyrës së tyre, fondet e pensioneve duket se u ndikuan pak nga luhatjet e normave të interesit. Si e vlerësoni ecurinë e këtyre fondeve në vitin 2022 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore në këtë segment të tregut?
Është e rëndësishme të theksohet se rritja e normave të interesit është gjithmonë një lajm i mirë për investitorët e rinj në bono dhe obligacione të shtetit shqiptar.
Siç jemi shprehur edhe në intervistat e mëparshme, fondet e pensionit në Shqipëri nuk regjistrojnë bonot dhe obligacionet me vlerën e tyre të drejtë.
Kjo bën që luhatjet e normave të interesit të mos ndikojnë si për bonot dhe obligacionet e investuara rishtazi, ashtu edhe ato që ishin ekzistuese në portofolin e fondeve të pensionit.
Rritja e normave ju jep mundësi që depozitimet aktuale për fond pensioni të investohen me norma më të larta interesi. Normat e obligacioneve afatgjatë, ku fondet e pensionit që Albsig Invest aktualisht administron, janë rritur në nivelet më të larta në dekadën e fundit.
Në vitin 2022, por edhe aktualisht, kemi vijuar marketimin e fondeve të pensionit dhe kemi ecur në këtë drejtim, pavarësisht vështirësive për anëtarësimin e klientëve në fonde.
Për të bërë një përmbledhje të ecurisë së Fondit të Pensionit Albsig në vitin 2022, mund të themi se fondi u rrit me rreth 900 anëtarë të rinj, ose një rritje me mbi 30% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që tregu shfaqi rritje me më pak se 9% për numrin e anëtarëve.
Mund të themi me krenari se në fund të vitit 2022, Fondi i Pensionit Vullnetar Albsig u rendit si fondi i tretë më i madh për numrin e anëtarëve.
Vlera neto e aseteve në Fondin e Pensionit Vullnetar Albsig në vitin 2022 u rrit me rreth 160 milionë lekë, ose më shumë se dyfishi i një viti më parë. Ndërkohë që tregu u rrit mesatarisht me rreth 24% në vlerën neto të aseteve.
◄ Kuvendi po diskuton ligjin e ri për fondet private të pensioneve. Cili është opinioni juaj rreth ligjit të ri që po diskutohet dhe çfarë efektesh prisni të japë në zhvillimin e tregut të pensioneve private?
Ligji i propozuar përmirëson shumë aspekte, të cilat ligji në fuqi nuk i trajton, ose i trajton jo në mënyrën e duhur. Projektligji është një përafrim i mirë i Direktivave Europiane që rregullojnë fondet e pensionit.
Në lidhje me përmirësimet që pritet të kenë ndikim do të veçoja trajtimin fiskal, i cili ka një përmirësim të dukshëm dhe pak shtete e kanë në këtë formë që është propozuar në Shqipëri.
Për ta ilustruar, në ligjin aktual, kontributi përjashtohet nga tatimi në momentin e derdhjes, interesi i fituar gjatë fazës së akumulimit gjithashtu përjashtohet, por pagesa e pensionit që merrte kur del në pension tatohet mbi të gjithë shumën e tërhequr.
Ndërsa ligji i propozuar përjashton kontributin nga tatimi në momentin e derdhjes. Interesi i fituar gjatë fazës së akumulimit gjithashtu përjashtohet dhe risia është që kontributet e bëra nuk do të tatohen as në momentin e tërheqjes, nëse bëhen në formën e pensionit (këste mujore) për një periudhë më të madhe se dy vjet.
Në këtë rast do të tatohet vetëm interesi i akumuluar gjatë periudhës.
Kjo lehtësi, por edhe të tjera që janë parashikuar në ligjin e propozuar, mendojmë se do të nxisë anëtarët aktualë dhe ata potencialë për të marrë pjesë në fonde pensioni.
Megjithatë, duhet që jo vetëm Shoqëritë Administruese, por institucionet shtetërore si AMF, ISSH apo Ministria e Financave dhe Ekonomisë të shfaqin dhe reklamojnë mundësinë që krijohet nga ligji i propozuar, për pjesëmarrjen në fonde pensioni.
Kjo mundësi, në periudha afatmesme, do të jetë mbështetëse e fortë e skemës shtetërore të pensionit.
◄ Cilat mund të jenë risitë e pritshme në tregun e fondeve të pensioneve dhe investimeve për periudhën në vazhdim?
Në vitin 2022, Shoqëria Administruese Albsig Invest miratoi hapjen e një fondi të dytë pensioni, Fondin e Pensionit Vullnetar Smart Pension, me bankë depozitare Bankën Kombëtare Tregtare (BKT).
Në këtë mënyrë, Albsig Invest solli, edhe një herë, një risi në treg duke u bërë Shoqëria Administruese e parë që do të administrojë dy fonde pensioni në të njëjtën kohë me banka depozitare të ndryshme.
Fondi i Pensionit Smart Pension filloi aktivitetin, duke anëtarësuar klientët e parë, në fillim të vitit 2023. Risia që ky fond sjell në treg është përdorimi i kanaleve dixhitale të BKT, në funksion të marketimit të fondit për të cilën Banka është miratuar, për të kërkuar anëtarësimin në Fondin e Pensionit Smart Pension.
Me zhvillimet e mëtejshme të teknologjisë dhe pranimit të lidhjes dhe nënshkrimit të kontratave të pensionit në distancë, ky fond do të sjellë risi të tjera.
Hapja e Fondit të Pensionit Smart Pension na bën entuziast, duke qenë se u drejtohet kryesisht moshave të reja që janë përdorues të rregullt të aplikacioneve smart.
Telefonat dhe aplikacionet smart tashmë janë gjithmonë bashkë me individin dhe aksesimi i më shumë shërbimeve kryhet nëpërmjet tyre.
Gjithashtu, me miratimin e projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, presim krijimin e fondeve të mbyllura të pensionit, që është një nga risitë e tjera që sjell ky ligj, që mund të jenë organizime të disa kompanive brenda një industrie të caktuar apo nën një bashkim punonjësish.
Fondet e mbyllura japin mundësi që kompanitë që bëjnë pjesë në këtë fond të posaçëm të vendosin së bashku me Shoqërinë Administruese mbi politikën e investimit dhe koston e administrimit të fondit.
Në varësi të ecurisë së tregjeve ndërkombëtare, Albsig Invest do të mundësojë hapjen e Fondit të Investimit Albsig Selective Equity ETFs, të miratuar në vitin 2022.
Megjithatë, si rezultat i ndryshimeve të mëdha të tregjeve ndërkombëtare, ndikuar nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë, Shoqëria Administruese vendosi fillimin e aktivitetit të këtij fondi në një moment më të favorshëm të këtyre tregjeve.
Sipas parashikimeve tona, Fondi i Investimit Albsig Selective Equity ETFs mendohet të fillojë t’u ofrohet investitorëve në tremujorin e tretë të vitit 2023.
LIDHJE TË DOBISHME
RRETH NESH
KONTAKT
Bulevardi Bajram Curri, Albsig HQ, Tirana, Albania 1010, Kati 16
Email: [email protected]
NUIS: L92208025J